Të hënën e 30 shtatorit, grupi parlamentar i Partisë Demokratike iu drejtua Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, me sende të forta ndërsa i vunë flakën karrigeve të tyre jashtë ambientit të Kuvendit në shenjë proteste ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit që la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për dënimin me një vit burg të deputetit të PD-së, Ervin Salianji.

Ky i fundit aktualisht po vuan dënimin në burgun e Fierit. Paralelisht, pala e mbrojtëse e Salianjit i ka kërkuar Gjykatës së Lartë pezullimin e vendimit.  

Foto nga djegia e karrigeve te Kuvendit nga deputetet e PD

PD-ja pretendon se, “vendimi i Apelit është i padrejtë” dhe se,  “shërben si mjet shantazhi për t’i mbyllur gojën opozitës”.

Si pasojë e këtij pretendimi, PD-ja ka thirrur një protestë që synon sensibilizimin e gjerë, përmes bllokimit fillimisht të rrugëve më 7 tetor ora 18.00.

Qëllimi, sipas PD-së, është fillimi i mos bindjes civile deri në çuarjen e vendit në qeveri teknike pa Ramën kryeministër zgjedhjet e ardhshme parlamentare.  

Angazhimit për t’ju bashkuar protestës të së hënës i është bashkuar edhe Federata e opozitës përmes një takimi të martën ku mungonte kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe ai i LZHK-së Dashamir Shehi.

Deputetët e PD-së nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e komisioneve parlamentare kësaj jave me argumentin se, po mobilizojnë strukturat në bazë deri të hënën.

Deputete te PD-se duke dale nga seanca parlamentare e 30 shtatorit Foto e marre nga LSA

Por morën pjesë të mërkurën pasdite vetëm në mbledhjen Sekretaritit të Etikës me qëllim bllokimin e marrjes së një vendimi mbi propozimin e PS për përjashtimin e 24 deputetëve të PD pas kaosit të seancës së 20 shtatorit.

Në të njëjtën ditë, më herët gjatë paradites, mazhoranca ka vijuar punimet parlamentare e patrazuar.

Konferenca e Kryetarëve (me votat e PS) miratoi (po të mërkurën) Udhërrëfyesin për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, një dokument politik thelbësor për integrimin e vendit.    

***

Thirrja për mos bindje civile nuk është aksioni i parë i opozitës. Por, 8 muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kjo është e para e këtij lloji.

Drejtuesi i Insitutit të Studimeve Politike, politologu Afrim Krasniqi, në një koment të shkurtër për Faktoje.al e ka një argument se pse opozita, po ndjek këtë kurs:

“Opozita po e radikalizon situatën, raportin e saj me ligjërimin publik me aksionin publik duke synuar të mobilizojë strukturat dhe militantët dhe jo tek ajo kategori që sjell rotacion ” , Afrim Krasniqi, Insituti i Studimeve Politike

“Opozita po e radikalizon situatën, raportin e saj me ligjërimin publik me aksionin publik duke synuar të mobilizojë strukturat dhe militantët dhe jo tek ajo kategori që sjell rotacion që do të thotë se po shkon dret një trendi anti-historik i cili është negativ për nevojat që ka sot Shqipëria sepse i heq mundësinë për të pasur një qasje alternative zgjedhjet e ardhshme”

Politologu Ilir Kalemaj në anën tjetër vëren për Faktoje.al se, gjykuar nga verbi, reagimi i opozitës është proporcional në raport me atë që quhet si persekutim politik i një pjese të lidershipit të saj (përfshirë Berishën, Mediun dhe Salianjin)”.

A është fokusi kryesor i opozitës i bazuar në një qëllim apo plan konkret, siç kanë pasur aksionet e saj të mëhershme të radikalizimit?

“Ky është më shumë një mesazh indirekt që i drejtohet strukturave për t’i mobilizuar ato dhe për të mbyllur pakënaqësitë brenda saj. Pra, është një mesazh brenda familjes dhe protesta dhe veprimet më shumë i drejtohen familjes politike sesa palës tjetër politike”, thotë Krasniqi

***

Ndonëse akte të tilla në aulën parlamentare nuk janë  të pandodhura edhe në rajon (rasti i VV në Kosovë para disa vitesh), Kalemaj e vijon logjikën politike në rrezikun kryesor që sjell ky akt: Minimi i besimit mes palëve. Që, sipas Kalemajt, është faktori kyç për garancinë e zgjedhjeve të lira dhe të pandikuara

Foto nga seanca parlamentare e 30 shtatorit Foto e marre nga LSA

Krasniqi ndërkohë vëren se, “në kushtet normale Shqipëria do të duhej të kishte një mazhorancë të lodhur nga skandalet, e pafuqishme për të bërë reforma dhe jo llogaridhënëse dhe pa shanse për një mandat tjetër politik dhe, në anën tjetër një opozitë të fortë, konstruktive dhe të reformuar, e gatshme për të marrë përgjegjësi”

Fakti që të dyja palët, sipas tij, ndodhen në pozita krejt të ndryshme tregon se, “Shqipëria është një anormalitet dhe ecuria e rrjedhjes politike është anormale”.

“Si e tillë, në vend që të presim që shoqëria të ndryshojë për t’ju përshtatur ofertave aktuale politike, në fakt duheshin që partitë të ndryshojnë për të shkuar tek shoqëria” , thotë Krasniqi.

“Shoqëria shqiptare pret alternativa elektorale të besueshme, propozime të politikave publike, rritje cilesore të përfaqësimit politik dhe një debat mbi modelet e zhvillimit të vendit duke adresuar njëkohësisht problematikat më të mprehta”, Ilir Kalemaj, Politolog

Ndërkohë, Kalemaj e mbështet (para së gjithash) argumentin tek postulati i njohur se demokracia në fund të fundit është dakordësi për rregullat e lojës: “Duket ashiqare që kjo dakordëri mungon. Kërkesa kryesore e opozitës është qeveria teknike si garanci kryesore për krijimin e kushteve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve ndërsa qeveria deri tani e ka quajtur të papranueshem këtë ultimatum. Opozita kërcënon me destabilitet dhe mosbindje civile, ndërsa mazhoranca përgjigjet me forcën e kartonit”.

Kjo situatë, në analizën e Kalemajt ndikon tek shoqëria “duke kërcënuar kapitalin social, që manifestohet te besueshmeria ndaj institucioneve, nxit polarizimin social dhe potencialisht ekonomik, redukton transparencën e vendim-marrjes dhe potencialisht çon në forcimin e autoritarizmit”

Sipas tij, “shoqëria shqiptare pret alternativa elektorale të besueshme, propozime të politikave publike, rritje cilesore të përfaqësimit politik dhe një debat mbi modelet e zhvillimit të vendit duke adresuar njëkohësisht problematikat më të mprehta”.

Por, a e ka kuptuar opozita këtë mesazh?

Krasniqi thotë se, ‘lidershipi i opozitës nuk është i gatshëm ta pranojë dhe as ta përcjellë”

Pse?

“Sepse do të kërkonte reformim dhe ndryshim themelor të saj. Për të pasur një opozitë të suksesshme është e nevojshme të ketë një qasje alternative konstruktive pozitive në partneritet me komunitetin ndërkombëtar dhe konstruktive edhe në raport me drejtësinë”, përgjigjet ai

Ne foto: Ervin Salianji pas vendimit te gjykates se Apelit qe linte ne fuqi vendimin per 1 vit burg ndaj tij Foto e marre nga LSA

Ervin Salianji ishte nënkryetar i grupit parlamentar të PD-së dhe vendimi ndaj tij për një vit burgim është marrë në dy shkallë.

Që do të thotë një akt juridik i marrë në dy nivele.

Por pjesa më e madhe e opozitës e konsideron një akt politik.

Krasniqi vëren se, “Salianji nuk është një individ që bën pjesë në lidership apo ka shprehur ndonjëherë në karrierën e tij ndonjë vizion politik të caktuar, që deri diku e dëmton opozitën”

Sipas tij, “opozita duhet të mësojë nga gabimet, për pasojë të mos i përsërisë dhe të ketë një proces rishikimi brenda saj”

Por deri sa të shkohet tek reflektimi, Kalemaj në anën tjetër nxjerr në pah një problematikë shumë më të madhe sesa vetë pasoja e veprimeve politike të një partie, qoftë ajo më e madhja në opozitë.

“Ndërkohë, vendi duket i kapërthyer në kriza ciklike ku faktorizohen muskujt në vend të mendjes, simbolika dhe imazhi në vend të politikave publike, ngecja e elitave në vend të qarkullimit të tyre dhe dështimi i reformave në vend të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe mirëqënies shoqërore”.