.

.

BallinaPertejA duhet të ishin pezulluar operacionet për sëmundjet e zemrës?

A duhet të ishin pezulluar operacionet për sëmundjet e zemrës?

Prej muajit mars në Shqipëri janë pezulluar ndërhyrjet kirurgjikale, përveç atyre që kanë lidhje me tumoret. Po për pacientët me sëmundje të zemrës, sa e rrezikshme është shtyrja apo pezullimi i ndërhyrjeve? Shifrat dhe ekspertët, tregojnë se sëmundjet që po bëjnë kërdinë, janë ato të zemrës, dhe numri i të prekurve në 1 vit, e kalon 3 fishin e atyre që vuajnë nga tumori.

09/03/2020 Ogerta Manastirliu: “Kemi marrë vendimin për kufizimin e ndërhyrjeve operatore kirurgjikale të planifikuara duke përjashtuar këtu të gjitha ndërhyrjet operatore që kanë lidhje me patologji malinje. Të gjitha këto masa që merren nuk cenojnë aspak shëndetin për qytetarët”

Nisur nga kjo deklaratë “Faktoje” bëri një kërkim mbi sëmundjet të cilat kanë vdekshmërinë më të madhe në vendin tonë dhe konstatuam se sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, qëndrojnë të parat në renditje, ndjekur nga sëmundjet tumorale.

Sipas të dhënave nga INSTAT për vitin 2019 sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut qëndrojnë përballë sëmundjeve tumorale në një raport 53.2% me 16.9% . Sëmundjet e qarkullimit të gjakut janë gati 36% më tepër sesa ato tumorale ose mbi trefishi i tyre.

Kjo e dhënë shqetësuëse, konfirmohet edhe nga një ekspert i shëndetësisë i cili kërkon të mbetet anonim. Sipas L.S mortaliteti në Shqipëri vjen kryesisht nga sëmundjet kardiovaskulare.
“Sëmundjet e qarkullimit të gjakur përbëjnë 14.500 nga 21000 vdekje. E dyta 4000- 5000 vdekje vijnë nga semundjet malinje.”-thekson ai.

A e rrezikon këtë kategori pacientësh pezullimi i ndërhyrjeve?

Mjeku kardiolog Maksim Llambro shpjegon se në këtë situatë janë anulluar shumë ndërhyrje dhe vizita të programuara të cilat mund të paraqesin një rritje të rrezikut për shëndetin e pacienteve. Do ishte e nevojshme një vlerësim i kujdesshëm rast pas rasti për të dhënë prioritet pacienteve me risk të lartë për jetën siç janë patologjitë koronare jo stabel.

“Do ishte e këshillueshme edhe testimi për koronavirus i të gjithë pacienteve që duhet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale për të evituar kontaminimin e personelit mjekësor si një faktor i rëndësishëm në përhapjen e virusit.”-shton ai.

Në Shqipëri sipas Dr.Llambros nuk ka studime të mirëfillta përsa i përket pasojave që mund të sjellë karantina në trajtimin e patologjive kardio-vaskulare. Një studim italian i kryer në Milano ka arritur në konkluzionin se është trefishuar vdekshmeria prej infarktit të miokardit nga koha e fillimit të emergjencës Covid-19 . Është ulur me 40% numri i ndërhyrjeve në zemer. Të dhëna të ngjashme janë regjistruar edhe në vende të tjera si Spanja, Anglia dhe SHBA.

“Aktualisht shihet nje tendencë edhe në Shqipëri që pacientët vijnë në gjendje më të rënduar në spitale, për shkak të mosdiagnostikimit në kohë. Sistemi shëndetësor publik dhe privat është i pregatitur të trajtojë me siguri të plotë patologjitë akute kardiake që mund të rrezikojnë jetën e pacientëve, pavarësisht situatës në të cilën ndodhemi”-përfundon Llambro.

Në një vëzhgim që “Faktoje” bëri në lidhje me disa vende të rajonit, si Kosova e Maqedonia, mësoi se edhe atje janë pezulluar kategori ndërhyrjesh kirurgjikale. Këto vende kanë pezulluar vetëm ato raste të cilat konsiderohen si të lehta .
Po ashtu në një tjetër vëzhgim vende më të mëdha si Anglia, Austria SHBA kanë pezulluar operacionet por pa i specifikuar sëmundjet për të cilat bëhen ndërhyrjet.

–Anglia ka pezulluar të gjitha operacionet (jo të domosdoshme) për të paktën 3 muaj (https://www.bmj.com/content/368/bmj.m1106 )

-Australia i ka pezulluar gjithashtu pa një urdhër të dytë (https://www.msn.com/en-au/news/australia/non-urgent-elective-surgeries-have-been-cancelled-for-now-because-ofcoronavirus-heres-what-that-means/ar-BB11Isjh )

-SHBA i ka pezulluar gjithashtu pa një urdhër të dytë ( https://www.nasdaq.com/articles/u.s.-hospitals-patients-cancel-elective-surgery-as-coronavirus-spreads-2020-03-16 )

Sa është numri i operacioneve të pezulluara për të paktën dy muajt e fundit?

“Faktoje” shkoi në terren për të marrë të dhënat nga Spitali i Traumës dhe QSUT, por na u tha se kërkesa duhej paraqitur zyrtarisht dhe se do të na kthehej përgjigje shumë shpejt. Ka kaluar gati një javë që prej dërgimit të këtyre kërkesave dhe ende nuk kemi një përgjigje zyrtare.
Kërkesa dërguar Spitalit të Traumës:

Kërkesa dërguar QSUT:

Kërkesa dërguar Ministrisë së Shëndetësisë:

Edhe pse ka kaluar më tepër se një javë nuk kemi asnjë përgjigje për kërkesat e dërguara. Në rastin e parë Spitali i Traumës na ka thënë se nuk është në kopetencat e tyre dhënia e një informacioni të tillë dhe se duhet ta kërkojmë në Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo e fundit ndërkohë nuk ka kthyer asnjë përgjigje edhe pse kanë kaluar tetë ditë që prej dërgimit të kërkesës.

Ndërkohë këto masa do të vazhdojnë të kenë efektet e tyre jo mbi institucionet por mbi shëndetin e qytetarëve si në rastin e M.K 54 vjeç. Pacienti i cili pret të bëjë një ndërhyrje në zemër pas dy ditësh i është thënë se nuk mund të qëndrojë në spital më tepër se një ditë edhe pse në një situatë normale do t duhej të qëndronte tre ditë të plota. Kjo sipas spitalit është masë si shkak i emergjencës së Covid-19.

Në lidhje me këtë kategori pacientësh mjeku kardiolog Dr.Llambro përfundon duke thënë se : “Në kete situatë një faktor i cili rrezikon të provokojë rritje të sëmundshmerisë kardio- vaskulare është mos respektimi i terapive farmakologjike. Është e rëndësishme vazhdimi inkurave për hipertensionin, diabetin apo kolesterolin e lartë si faktorët kryesorë për shfaqjen apo rëndimin e sëmundjeve kardio-vaskulare. Mbajtja e kontaktit me mjekët e familjeve apo specialistët do ishte e këshillueshme . Mos të neglizhojmë simptoma si dhimbja e gjoksit, marrja e frymës apo rënia e të fiktit, por t’i drejtohemi sa më shpejt strukturave spitalore për diagnostikim në kohë të sëmundjeve jetëkërcënuese”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img