Braktisja e të moshuarve, “vetmia që po vret”

Nga Sebi Alla
Fotografitë Atdhe Mulla

Fitoi pension të parakohshëm si nënë me shumë fëmijë, ndërsa sot dergjet në shtrat si “e moshuar e vetmuar”. Asnjë prej gjashtë fëmijëve nuk i gjendet aty, disa prej të cilëve nuk i ka parë prej vitesh, por zemra e nënës u jep të drejtë: “Kanë ikur në emigrim prej shumë kohësh. Nuk kanë dokumenta dhe po erdhën nuk rikthehen më në shtetet ku jetojnë”, thotë 69-vjeçarja nga Librazhdi, Vule Topi. Ish-ekonomistja, sot llogarit mbijetesën e saj. 

“140 mijë lekë marr pension. Bashkia me jep një pjesë të bonusit të qirasë. Disa ilaçe i marr falas, të tjerat ndonjëherë mi sjell goca nga Gjermania. Edhe ajo është invalide”, vijon rrëfimin Topi. 

“Zemrën e kam keq, mushkëritë po ashtu, tensionin e kam të lartë, po nuk flas dot shumë se ma ka ndaluar mjeku”, ngulmon Topi

“Zemrën e kam keq, mushkëritë po ashtu, tensionin e kam të lartë, po nuk flas dot shumë se ma ka ndaluar mjeku”, ngulmon Topi, ndërsa në tavolinën pranë vetes ka një grusht me ilaçe. 

Si ajo janë shumë të moshuar në Shqipëri që jetojnë vetminë, me fëmijët larg, ose të braktisur prej tyre. “Shqipëria po përjeton një transformim të thellë demografik, i cili kërkon përshtatje të politikave dhe shërbimeve në fusha si kujdesi shëndetësor, mbrojtja sociale, strehimi, transporti dhe planifikimi urban”, thotë për Faktoje.al, sociologia Fiona Todhi. 

Nevojë dhe histori suksesi

Në Bashkinë Librazhd janë rreth 46 mijë banorë, prej të cilëve 9 260 të moshës së tretë, të grupit që kanë mbushur 65 vjeç. “Aktualisht në planin social që kemi hartuar, për shërbim social 2025-2028, prioritet kemi moshën e tretë”, thotë për Faktoje.al, Drejtori i Shërbimit Social në Bashkinë Librazhd, Rexhep Shaka. Kjo bashki është në fazën e implementimit të dy projekteve që shkojnë specifikisht për të moshuarit e vetmuar. 

“Fillimisht po bëjmë një bazë të dhënash që përfshin identitetin, vendbanimin, sëmundjet që kanë, banesën, të ardhurat, fëmijët ose të afërm, ilaçet që përdorin", thotë Shaka.

“Fillimisht po bëjmë një bazë të dhënash që përfshin identitetin, vendbanimin, sëmundjet që kanë, (nëse janë të diagnostikuar), banesën, të ardhurat, fëmijët ose të afërm, ilaçet që përdorin, aksesin me qendrat shëndetësore etj”, thotë Shaka. Sipas tij, aktualisht ofrohet shërbim social në banesa tek të moshuar të vetmuar që ndodhen brenda qytetit, ndërsa në të ardhmen ai thotë që do ngrihet ky shërbim edhe në rang të Njësisë Administrative. Ndërsa ky projekt është në fazën e parë, një tjetër është në zhvillim. “Nëpërmjet një projekti me Kryqin e Kuq dhe Bashkinë Librazhd kemi përgatitur 15 kujdestarë social. Në muajin qershor pajisëm 9 gra me certifikata si të afta për të ofruar kujdes ndaj të moshuarve të vetmuar. Gratë e punësuara i kemi përgjedhur nga përfitueset e ndihmës ekonomike. Për gjashtë muaj u trajnuan si të matet tensioni, si të bëjnë një injeksion, gatim, pastrimin në banesat e të moshuarve por edhe qasjen që duhet të kenë ndaj tyre”, thotë Shaka. 

Një prej të punësuarve shërben dy orë në banesën e Vule Topit, nënës me shumë fëmijë e cila të vetmet kujtime që si ndahen orë e çast në dhomë janë fotot e fëmijëve te vendosura kudo, ndërsa në një “sirtar” mban edhe statusin e moshuar e vetmuar. 

Asistenca

“… Unë kam dy familje që u shërbej. Gjërat bazë janë një matje tensioni, dhënia e ilaçeve, u gatuaj, u bëj pazar, nëse u kanë mbaruar medikamentet ua marr apo edhe një shërbim tek spitali duke e shoqëruar”, thotë Bule Kojku, punonjësja sociale e cila edhe vetë trajtohet me ndihmë ekonomike, por krahas asaj pagese, ka zgjedhur të punojë në projektin e shërbimit social, për të cilën merr 25 mijë lekë në muaj. 

“Nënë Vulja ka punuar me njerëz dhe tashmë e ndjen vetminë. Shpesh bisedojmë dhe e kuptoj që nga ana psikologjike qetësohet. Nuk mund ta shohim vetëm si detyrë, por një shërbim që ta bëjmë me shumë mirësi”, thotë Kojku.

Emigrimi dhe rikthimi

“Krahas detyrimit ligjor që si bashki kemi në mbështetje të shtresave në nevojë, një plan specifik lidhet me shërbimin ndaj të moshuarve. Synimi mbetet rijetëzimi i zonave të thella malore dhe ripopullimi, madje edhe rritja ekonomike që sjell punësim dhe zhvillim vjen nga investimet”, thotë për Faktoje, kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha.

“Krahas detyrimit ligjor që si bashki kemi në mbështetje të shtresave në nevojë, një plan specifik lidhet me shërbimin ndaj të moshuarve"

“Deri më tani janë 223 aplikime për nismën ‘Paketa e Maleve’, shumë prej personave që kanë aplikuar janë emigrantë dhe kjo do sjellë edhe një lloj ripopullimi të zonave malore, e shoqëruar edhe me pjesën e përmirësimit të infrastrukturës”, thekson Disha. 

Braktisja

Krahas shtimit të numrit të të moshuarve që njihet si plakja e popullsisë, Shqipëria tashmë po përballet me fenomenin e braktisjes së të moshuarve që ka ardhur për shumë faktorë, ku ndikimi kryesor mbetet emigrimi. 

“Sipas Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, popullsia rezidente ka arritur në 2.4 milionë banorë, duke shënuar një rënie prej rreth 420 mijë banorësh krahasuar me vitin 2011"

“Sipas Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, popullsia rezidente ka arritur në 2.4 milionë banorë, duke shënuar një rënie prej rreth 420 mijë banorësh krahasuar me vitin 2011. Të moshuarit mbi 65 vjeç përbëjnë tashmë rreth 20% të popullsisë, çka konfirmon ritmin e shpejtë të plakjes demografike, ndërsa njëkohësisht theksohen edhe dallimet gjinore, pasi gratë priren të dominojnë grupmoshat më të avancuara për shkak të jetëgjatësisë më të lartë”, thotë sociologia Fiona Todhi. 

Pasojat

Profesorja Todhi sugjeron se braktisja dhe vetmia e të moshuarve në Shqipëri është rezultat i një kombinimi faktorësh demografikë, ekonomikë, socialë dhe kulturorë, më shumë sesa i një shkaku të vetëm. “… emigrimi masiv i të rinjve dhe i brezit aktiv të punës ka qenë një nga arsyet kryesore që ka dobësuar mbështetjen familjare tradicionale. Largimi i fëmijëve për arsye punësimi dhe përmirësimi ekonomik ka bërë që shumë prindër të moshuar të mbeten vetëm, sidomos në zonat rurale dhe malore. Shkaqet ekonomike luajnë një rol të rëndësishëm. 

"Pensionet shpesh janë të pamjaftueshme për të përballuar kostot e jetesës, shërbimet shëndetësore dhe kujdesin afatgjatë" thotë Todhi

Pensionet shpesh janë të pamjaftueshme për të përballuar kostot e jetesës, shërbimet shëndetësore dhe kujdesin afatgjatë, duke e bërë më të vështirë ruajtjen e një standardi dinjitoz jetese”, thotë Todhi, ndërsa shton se: “kur kjo ndërthuret me mungesën e shërbimeve komunitare dhe sociale, rreziku i varfërisë dhe përjashtimit rritet ndjeshëm”. 

Ndryshim mendësie

Një tjetër arsye lidhet me ndryshimin e mentalitetit dhe transformimin e modelit familjar shqiptar të cilët si pasojë kanë rënë pikërisht mbi të moshuarit, që janë rritur në familje tradicionale, kanë kontribuuar në “familjen e madhe”, por sot ndihen të “braktisur” nga fëmijët. 

“Familja tradicionale e zgjeruar, ku disa breza bashkëjetonin dhe kujdeseshin për njëri-tjetrin, po zëvendësohet gradualisht nga familja bërthamë"

“Familja tradicionale e zgjeruar, ku disa breza bashkëjetonin dhe kujdeseshin për njëri-tjetrin, po zëvendësohet gradualisht nga familja bërthamë dhe nga modele më individualiste të jetesës, të ndikuara nga urbanizimi, emigrimi dhe ritmet moderne të punës. Ky transformim ka dobësuar rolin e familjes si sistemi kryesor mbështetës për të moshuarit”, thotë sociologia Todhi. 

Strategjia

Në vendin tonë ka dy “Plane” për çështjen e të moshuarve: Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen Sociale, 2024–2030 dhe Plani Kombëtar i Veprimit për Moshimin, 2020–2024 të cilat mbesin ende ide të paaplikuara në shërbime konkrete. “Ndryshe nga vende të tjera të rajonit, Shqipëria ende nuk ka zhvilluar në shkallën e duhur shërbime të kujdesit në komunitet, asistencës shtëpiake, qendra ditore apo modele të kujdesit afatgjatë, të cilat mund të kompensonin dobësimin e mbështetjes familjare”, thotë Todhi. E gjithë kjo situatë sipas saj bën që të moshuarit përballen me një përjashtim shumëdimensional – ekonomik, social, kulturor, etik dhe politik – që i çon shpesh drejt izolimit dhe asaj që mund të quhet “harresë sociale”. “Fenomeni i braktisjes nuk duhet parë vetëm si pasojë e largimit fizik të fëmijëve, por edhe si reflektim i ndryshimeve të thella strukturore në familje, ekonomi dhe kulturë”, sugjeron sociologia.