Një urdhër me dyer të mbyllura, pa komunikim zyrtar, nga ana e kryeministrit Edi Rama për të shkarkuar drejtorët e Bashkisë së Vlorës, ka hapur një debat sa publik aq edhe institucional për ligjshmërinë e një veprimi të tillë.
Pas një mbledhjeje jo publike në ambientet e Bashkisë, ku Rama ka shprehur kritika për disa problematika konkrete në Vlorë si mungesa e ujit të pijshëm apo djegia e plehrave, pasojat kanë qenë të menjëhershme.
Pa kaluar as 24 orë, 21 drejtorë të bashkisë së Vlorës kanë paraqitur dorëheqjen zyrtarisht tek kryetari i bashkisë Ermal Dredha. Ky i fundit, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka firmosur ende dorëheqjet
Çfarë thotë ligji?
Kushtetuta dhe ligji për vetëqeverisjen vendore e përcaktojnë qartë autonominë e pushtetit vendor. Bashkitë janë të zgjedhura me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe përgjegjësitë për administrimin e qytetit u takojnë drejtuesve lokalë. Drejtuesi i Insitutit të Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali, thotë për Faktoje.al se, sipas ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” dhe Kushtetutës së Shqipërisë, bashkitë janë njësi të vetëqeverisjes vendore me autonomi të garantuar në menaxhimin e kompetencave të tyre.
“Kryeministri, si përfaqësues i pushtetit ekzekutiv qendror, nuk ka tagër ligjor të ndërhyjë në organizimin e brendshëm të bashkive, përfshirë ristrukturimin apo emërimin e komisioneve të brendshme administrative. Çdo akt i tillë përbën një cenim të drejtpërdrejtë të parimit të autonomisë vendore dhe nderhyrjes në pushtete të pavarura”, thotë Haxhimali
A cenohet parimi i autonomisë vendore në këtë rast?
“Po, në mënyrë të qartë. Parimi i autonomisë vendore, i sanksionuar në Kushtetutë (neni 108) dhe në Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore (ratifikuar nga Shqipëria), kërkon që njësitë e vetëqeverisjes të kenë liri të plotë për të marrë vendime brenda kompetencave të tyre. Ndërhyrjet politike nga niveli qendror, sidomos nga Kryeministri, bien ndesh me këtë parim dhe krijojnë precedent të rrezikshëm për kapjen politike të pushtetit lokal”, përgjigjet Haxhimali
Zinxhiri i emërimeve në bashki
Në të njëjtën mbledhje në Vlorë, kryeministri Edi Rama prezantoi edhe komisionet e ristrukturimit, të cilët jo vetëm do të ndjekin emërimet e brendshme të bashkisë, por edhe do të dalin në terren për të mbledhur problematika dhe për t’i raportuar çdo të hënë në institucionin vendor.
Përbërja e komisioneve raportohet se përfshin deputetë dhe njerëz që angazhohen në PS.
Ndryshe nga sa është urdhëruar, Agron Haxhimali, sqaron se në praktikë dhe sipas ligjit, drejtorët në një bashki janë pjesë e administratës vendore dhe për pasojë emërohen apo shkarkohen nga kryetari i bashkisë, si drejtuesi ekzekutiv i njësisë vendore. “Ky proces është i brendshëm dhe duhet të udhëhiqet nga kriteret profesionale, strukturat e miratuara dhe ligji për nëpunësin civil kur aplikohet. Asnjë institucion qendror nuk ka kompetencë të ndikojë drejtpërdrejt në këto vendime, përveç rasteve kur ka shkelje të rënda të ligjit dhe procedura të hapura nga organet e drejtësisë apo institucionet e kontrollit”, thotë ai.