Partia Demokratike ende nuk e ka publikuar zyrtarisht programin në faqen e saj zyrtare, por kryetari i kësaj force politike, Sali Berisha, në kohë të ndryshme, ka paraqitur një plan sfidues ekonomik për katër vitet e ardhshme nëse fiton zgjedhjet.

Faktoje.al i është referuar tre premtimeve kryesore të PD-së për 100 ditët e para, (ato që janë edhe më të prekshme për qytetarin), për të kuptuar se sa është fatura dhe mbi të gjitha sa e mundur është të realizohen në një kohë aq të shkurtër.   

Premtimet përfshijnë vendosjen e një minimumi jetik prej 200 eurosh dhe rritjen me 20% të çdo pensioni mbi këtë shumë, ulje drastike të çmimit të energjisë elektrike në 7 lekë për kilovat për qytetarin dhe 6 për biznesin e vogël si dhe përgjysmim të ngarkesës fiskale mbi naftën.

Faktoje.al, në bashkëpunim me ekspertin e ekonomisë, Ilir Brasha, i është referuar dy periudhave; 100 ditë (koha e premtuar) dhe brenda një viti për të parë kostot. 

Përgjysmimi i naftës   

Referuar përllogaritjeve, eksperti Ilir Brasha, sqaron se nëse zbatohen premtimet për përgjysmimin e taksave mbi karburantin, buxheti i shtetit do të përballet me një mungesë të ardhurash prej rreth 22.6 miliard lekësh në vit. Vetëm për 100 ditët e para të qeverisjes, kostoja e kësaj mase (që janë 27% vitit), do të arrijë në afro 6.2 miliard lekë

 Niveli Lekë* TR 2024 (Lekë) TR – Premtime PD  Diferenca Lekë
Karburant i importuar        657,562,722             657,562,722                            –  
Akciza Lekë38.8  25,513,433,631       12,756,716,816   (12,756,716,816)
Taksa e Karbonit Lekë3    1,972,688,167             986,344,084         (986,344,084)
Taksa e Qarkullimit Lekë27  17,754,193,506         8,877,096,753     (8,877,096,753)
TTL pa TVSH   45,240,315,305       22,620,157,653   (22,620,157,653)
TVSH     9,048,063,061         4,524,031,531     (4,524,031,531)
TTL me TVSH Viti   54,288,378,366       27,144,189,183  (27,144,189,183)
TTL me TVSH 100 ditë   14,873,528,319         7,436,764,160    (7,436,764,160)
     
Burimi: Ministria e Financave & Drejtoria e Doganave

Por jo vetëm. Nëse zbatohet edhe përgjysmimi i TVSH-së për naftën, humbjet për arkën e shtetit do të thellohen edhe më tej, duke kapur një vlerë shtesë prej 4.5 miliard lekësh në vit. Në total, ulja e përgjithshme e taksave mbi karburantin pritet t’i kushtojë buxhetit rreth 27 miliard lekë në vit dhe afro 7.4 miliard lekë vetëm në 100 ditët e para të qeverisë së re.

Edhe qendra ALTAX në një analizë të pavarur të saj vëren se taksa mbi karburantet sipas premtimit të PD mund të sjellë një humbje të mundshme të të ardhurave diku mes 20 deri në 30 mln euro.

Energjia

Partia Demokratike, përmes kryetarit Sali Berisha, ka premtuar një ulje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike: 7 lekë për kilovat për konsumatorët familjarë dhe 6 lekë për bizneset. Por sa do t’i kushtojë kjo buxhetit të shtetit?

Duke supozuar (shifër konkrete nuk ka) se 90% e familjeve konsumojnë më pak se 700 kWh në muaj (dhe paguajnë aktualisht një tarifë prej 8.5 lekësh), si dhe duke llogaritur një çmim mesatar prej 9.5 lekësh për bizneset, (në rastin më të mirë pasi dhe nga arkëtimet e 2024 rezulton çmim i përafërt), ulja e çmimit në nivelet e premtuara do të krijonte mungesë të ardhurash, që sipas Brashës, do të kapte shifrën e rreth 20 miliard lekëve në vit.

Pjesa më e madhe e kësaj humbjeje buxhetore do të vinte nga ulja e cmimit për biznesin, që kanë konsumin më të lartë dhe tarifat më të larta. Nëse ulja do të zbatohej vetëm për konsumatorët familjarë,  kostoja për buxhetin do të ishte rreth 6.5 miliard lekë në vit.

Humbja totale për 100 ditët e para nga ulja e çmimit të energjisë elektrike do të ishte në masën e 5.4 miliard lekë.

“Ky premtim duket joshës për konsumatorët, por pas vetes tërheq një faturë të rëndë për financat publike, që do të kërkonte ose subvencione shtesë nga buxheti, ose kosto të mbuluara përmes borxhit, taksave të tjera, ose shkurtimeve buxhetore në sektorë të tjerë”, thotë eksperti i ekonomisë, Ilir Brasha.

Pensionet

Është premtuar gjithashtu që të gjitha pagesat e marra nga një individ apo familje të jenë më të larta se 200 euro. Berisha ka premtuar njëkohësisht edhe rritje të pensioneve mbi këtë vlerë. Nëse futet ligji i minimumit jetik nuk ndryshojnë vetëm pensionet poshtë vlerës së tij, por gjithashtu edhe ato me vlerë më të lartë.

Deri me 30 shtator 2024, rezultojnë 624’689 pensionistë nga zonat urbane me masë mesatare pensioni 18’568 lekë si dhe 92’541 pensionistë nga zonat rurale me masë mesatare pensioni 11’089 lekë.  Ndërsa nuk ka të dhëna të detajuara për pensionet sipas fashave, përllogaritjet në këtë rast janë bërë mbi mesataren dhe bazuar në raportin zyrtar të ISSH për vitin 2023.

Eksperti Ilir Brasha në këtë rast ka përllogaritur dy skenarë të mundshëm: a) Rritje proporcionale, ku të gjitha pensionet rriten duke ruajtur dallimet mes tyre. b) Rritje gjysmë proporcionale, ku pensionet rriten, por diferencat aktuale mes tyre ruhen vetëm pjesërisht. Kostoja sërish rezulton e madhe. Vetëm për 100 ditët e para do të kapte vlerën e rreth 35.5 miliard lekëve.

Përfundim

Analiza në total, sipas ekspertit Ilir Brasha, tregon se është e pamundur nga ana buxhetore që të arrihet realizimi i premtimeve për të paktën tre aspektet kryesore. Kostoja buxhetore në këtë rast është relativisht e lartë në masën e 1/5-s së totalit të të ardhurave buxhetore për një vit.

Sipas tij, për realizimin e premtimeve duhet të rritet defiçiti buxhetor e për pasojë edhe borxhi publik, për arsye se buxheti i shtetit e ka të pamundur që të amortizojë të gjithë vlerën prej rreth 48 miliard lekë për 100 ditë dhe rreth 163 miliard lekë për vitin e plotë (për të tre premtimet).

“Kjo mund të realizohet në një periudhë më të gjatë dhe jo në mënyrë të menjëhershme, por në formë graduale duke rregulluar edhe zërat e tjerë të buxhetit”, thotë Brasha.

Artikulli paraprakFatkeqësitë natyrore janë shtuar, por jo prej përdorimit të HAARP
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.