BallinaPertejVëmendja ndaj brezit të ri si përgjegjshmëri ndaj vendit

Vëmendja ndaj brezit të ri si përgjegjshmëri ndaj vendit

AZMI STRINGA

Kategoria e të rinjve 15-29 vjeç që nuk është as në punë dhe as në ndonjë trajnim profesional, shënoi ulje në krahasim me gjashtë vite më parë. Megjithatë ky komunitet që njihet ndryshe NEET përbën 27,9% të të rinjve në vend. Kjo shifër e rendit Shqipërinë ndër vendet e fundit jo vetëm në Europë por edhe në rajon.

Në maj 2021 INSTAT publikoi të dhënat për tregun e punës për vitin 2020. Ndër të tjera në këtë raport theksohet se në vitin 2020, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional, përbëjnë 27,9 % të të rinjve gjithsej.

Ky tregues për të rinjtë 15-29 vjeç është shumë domethënës, sepse tregon cila pjesë e rinisë, jo vetëm që nuk është në punë, por as nuk po aftësohet me anë të edukimit dhe trajnimit. Kjo ul mundësinë e tyre për patur aftësi konkurruese për të hyrë në tregun e punës, apo për sjellë vlerë të lartë të shtuar duke fituar të ardhura më të mëdha.

Gjithashtu ky tregues, që në botë njihet me termin NEET (not in education, employment or training-*të paangazhuar në punë, edukim, dhe trajnim), është i rëndësishëm për të vlerësuar çfarë mundësish po u ofrohen të rinjve, sa konkurruese do jetë ekonomia jonë në të ardhmen nëpërmjet kapitalit njerëzor dhe sa të qëndrueshme dhe cilësore do të jenë financat dhe shërbimet publike (borxhi, arsimi, pensionet, shëndetësia etj.) duke qenë që brezi i ri do marrë nesër përgjegjësinë për to. Kjo temë merr edhe më shumë vëmendje në kushtet e krizës ekonomike nga pandemia, ku brezi i ri jo vetëm që është më i ekspozuar ndaj goditjeve të krizës, por rrezikon që t’i ofrohen më pak mundësi dhe të mbajë nesër barrën e një borxhi më të lartë publik.

Kjo temë mori vëmendje të madhe në Europë gjatë krizës së borxhit sovran që filloi në vitin 2011. Shumë vende të goditura panë një rritje të këtij treguesi dhe kjo ishte shqetësuese për mundësitë e brezit të ri, konkurrueshmërinë e kapitalit njerëzor, dhe aftësinë e ekonomisë për të përballuar barrën fiskale në të ardhmen. Më poshtë paraqitet në mënyre grafike ecuria e këtij treguesi në Europë sipas Eurostatit.

Nga grafiku më lart shohim që treguesi për tre nga grupmoshat u përkeqësua ndjeshëm pas vitit 2008, duke kapur maksimumin në vitin 2013. Treguesi i të rinjve 15-29 vjeç NEET në vende të prekura nga kriza e borxhit sovran si Greqia shkoi nga 23% në 2011 në 28.5% në 2013. Në Itali shkoi nga 22.5% në 2011 në 26% në 2013 dhe në Spanjë nga 20.6% në 2011 në 22.5% në 2013.

Kriza e borxhit sovran jo vetëm që ndikoi tek mundësitë e të rinjve, shumë prej të cilëve të sapo dalë nga bankat e shkollës, por edhe gjatë dekadës në vijim mundësitë për këtë brez vazhduan të ishin të kufizuara në krahasim me prindërit e tyre, si rezultat i ritmeve të ulta të rritjes ekonomike. Me krizën e shkaktuar nga pandemia, vëmendja është rikthyer përsëri në ndikimin që ka tek rinia dhe rëndësia strategjike për të garantuar mundësi për ta në të ardhmen. Gjatë kësaj krize, ekonomitë mbajtën një kosto të lartë edhe në financat publike, ndërhyrjet mbështetëse të ekonomisë transferuan një pjesë të kostove në të ardhmen. Kjo kosto për brezin e ardhshëm është në formën e një borxhi publik më të lartë dhe mundësive më të kufizuara për të investuar tek rinia.

Duhet theksuar që një i ri në moshë 22-vjeçare në vitin 2013 ishte 29 vjeç në vitin 2020, dhe mbetet ende i ri.  Pra ky i ri, në fillimet e daljes së tij në jetë dhe në punë, është goditur dy herë brenda një dekade dhe ka ende një barrë të lartë e cila i është transferuar në kohë. Krijimi i mundësive për brezin e ri duke nxitur rritjen ekonomike dhe punësimin është i rëndësishëm jo vetëm për konkurrueshmërinë ekonomike, por edhe në zhvillimin social dhe mirëfunksionimin e demokracisë. Pakënaqësitë sociale dhe pabarazia ekonomike sjell humbje të besimit në sistemin ekonomiko-social të vendeve, i hap rrugën radikalizimit dhe populizmit politik dhe ekspozon pjesë të shoqërisë ndaj sjelljeve të padëshiruara.

Informacioni i mësipërm është i mbështetur në shumë studime. Në një studim të OECD thuhet:

“Për brezin e ri, dhe veçanërisht për të rinjtë vulnerabël, kriza e Covid-19 paraqet risk të konsiderueshëm në fushën e edukimit, punësimit, shëndetit mendor dhe të ardhurave të disponueshme. Për më tepër, ndërkohë që të rinjtë dhe brezat e ardhshëm do të mbajnë mbi shpatulla shumë nga pasojat afatgjata social-ekonomike të krizës, mirëqenia e tyre mund të vihet në plan të dytë nga konsideratat afatshkurtra ekonomike.”

Këta të rinj ishin më shumë vulnerabël ndaj krizës, ku shumë prej tyre qenë më lehtësisht të largueshëm nga vendet e punës apo nuk kishin ende kursime të mjaftueshme për përballuar efektet e krizës. Në rastin e Shqipërisë duhet një analizë studimore e thelluar për ndikimin e krizës tek të rinjtë, nëse marrim në konsideratë natyrën e punësimit të tyre në aktivitete shërbimi, varësinë që kanë familjet e varfra nga të ardhurat e fëmijëve, apo dhe informalitetin e lartë në punësim.

Nisur nga sa më lart, Presidenti i Italisë Matarella është shprehur në lidhje më krizën se është një borxh që do ndikojë tek ata që do vinë pas nesh. Nuk duhet të komprometojmë, me zgjedhje të gabuara, shpresën, për kë do vijë pas nesh, për akses në kushte ekonomiko-sociale në mos më të mira, të paktën të njëjta me këto që kemi patur ne. Brezat e ardhshëm do ta shohin në mënyrë kritike periudhën që po jetojmë. Do kërkojnë llogari si u alokuan dhe administruan shuma kaq të mëdha parash dhe në rast mosveprimi apo efektiviteti të ulët të veprimeve tona, do pyesin përse një gjeneratë që mundi të shijojë një periudhë kaq të gjatë kushtesh favorizuese, nuk mundi të ndërtonte infrastrukturën e domosdoshme për rritjen dhe reformat e nevojshme për efiçencën e sistemit social-ekonomik, duke rritur vetëm borxhin.

Me të njëjtin shqetësim, por dhe duke parashtruar përqasjen për të ardhmen, Kryeministri i Italisë Mario Draghi, është shprehur se borxhi i krijuar nga pandemia është i paprecedent dhe do duhet të shlyhet përgjithësisht nga ata që janë të rinj sot. Nëse borxhi përdoret për qëllime jo produktive, do të shihet si borxh i keq dhe qëndrueshmëria e tij do të gërryhet. Ai theksoi nevojën urgjente për investimin e burimeve intelektuale dhe financiare të fokusuara tek brezi i ri.

Duke patur në konsideratë rëndësinë e temës edhe për Shqipërinë, më poshtë paraqitet ecuria e treguesit të të rinjve të paangazhuar në punë, edukim, dhe trajnim sipas INSTAT. Nga të dhënat shohim që treguesi NEET për të rinjtë 15-24 vjeç është përmirësuar duke u ulur nga 29.4% në 2010 në 26.6% në 2020. Po kështu treguesi NEET për të rinjtë 15-29 vjeç është përmirësuar duke u ulur nga 31.5% në 2010 në 27.9% në 2020. Për të dy grupmoshat treguesi ka kapur maksimumin e tij në vitet 2013-2014, për të vijuar më pas trendin rënës.

Ky tregues thelbësor duhet vlerësuar edhe:

a) në krahasim me vendet e zhvilluara për të parë se si po e zvogëlon Shqipëria hendekun ekonomiko-social në lidhje me to

b) në krahasim me vendet e rajonit për të parë sa konkurruese është dhe do të jetë ekonomia e vendit tonë.

Më poshtë paraqiten të dhënat më të fundit për këtë indikator për vende të OECD. Të rinjtë 15-29 vjeç që nuk janë as në punë e as duke u trajnuar profesionalisht, përbëjnë mesatarisht 12.8% të të rinjve në vendet e OECD dhe 27.9% të tyre në Shqipëri. Më ngjyra, në grafikun më poshtë paraqiten vendet e OECD që janë në një rajon gjeografik me Shqipërinë.

Gjithashtu ky indikator duhet parë edhe në krahasim me vendet e BE dhe vendet e rajonit. Më poshtë në formë grafike treguesit NEET për vitin 2020 sipas Eurostatit. Më ngjyra në grafikët më poshtë paraqiten vendet e Europës që janë në një rajon gjeografik me Shqipërinë.

Të rinjtë 15-29 vjeç që nuk janë as në punë e as duke u edukuar përbëjnë mesatarisht 13.7% të të rinjve në vendet e BE kundrejt 27.9% të tyre në Shqipëri, me një diferencë prej 14.2%. Siç shihet në vitin 2020, Shqipëria është e dyta nga fundi për këtë tregues, duke lënë mbrapa vetëm Turqinë.

Po të shohim të dhënat për vendet e rajonit përpara krizës së vitit 2020, vit për të cilin Eurostat ende nuk të dhëna për Malin e Zi, del qartë që në bazë krahasimore Shqipëria pozicionohet tek vendet e fundit në rajon për këtë tregues të rëndësishëm. Mesatarja e këtyre vendeve të rajonit për këtë tregues është 20.2% kundrejt 28.9% të Shqipërisë, me një diferencë prej 8.7%.

E njëjta situatë, por me hendek më të madh paraqitet për grupmoshën 15-24 vjeç, moshë kur normalisht të rinjtë janë në studime. Të rinjtë 15-24 vjeç që nuk janë as në punë e as duke u edukuar përbëjnë mesatarisht 11.1% të të rinjve në vendet e BE kundrejt 26.6% të tyre në Shqipëri, me një diferencë prej 15.5%.

Për grupmoshën 15-24 vjeç, jo vetëm që Shqipëria pozicionohet tek vendet e fundit në rajon për këtë tregues të rëndësishëm, por vihet re edhe një diferencë më e thellë me vendet e rajonit, krahasuar me grupmoshën 15-29 vjeç. Mesatarja e këtyre vendeve të rajonit për këtë tregues është 16.4% kundrejt 25.5% të Shqipërisë, me një diferencë prej 9.1%.

Më poshtë jepet ecuria ndër vite e këtij treguesi për grupmoshat 15-24 vjeç dhe 15-29 vjec për Shqipërinë, mesataren e Bashkimit Europian dhe të vendeve të rajonit.

Bazuar në sa më lart, Shqipëria ka bërë progres gjatë këtyre viteve duke ulur pjesën e të rinjve që janë të papunë dhe as po aftësohen duke u edukuar dhe trajnuar. Po ta krahasojmë më nga afër Shqipërinë me ecurinë e treguesve të të rinjve NEET në Europë, shohim që treguesi ka lëvizur në mënyrë të ngjashme gjatë këtyre viteve, duke kapur maksimumin rreth vitit 2013 si për ne dhe BE-në. Gjatë këtyre viteve BE dhe veçanërisht Eurozona ishin goditur nga kriza e borxhit sovran dhe Shqipëria shënoi në 2013 nivelin më të ulët të rritjes ekonomike të dekadës para pandemisë.  Sidoqoftë Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë për të mbyllur jo vetëm hendekun e këtij treguesi me vendet e zhvilluara dhe të BE-së, por edhe me vendet e rajonit. Kjo është e rëndësishme për konkurrueshmërinë dhe mirëqenien jo vetëm të brezit të ri, por edhe e të gjithëve ne.

Në kushtet e një borxhi të lartë publik dhe nevojës për investime në infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi për ta bërë ekonominë konkurruese, Shqipëria duhet të fokusohet tek krijimi i mundësive për brezin e ri dhe mirë-administrimin e burimeve tona për të garantuar rritje të ekonomisë dhe produktivitetit. Mirë-administrimi i fondeve publike dhe pasurive kombëtare, lufta ndaj evazionit dhe korrupsionit, zbatimi i ligjit, krijimi i një klime ekonomike që bazohet në vlerë,  dhe fokusi në edukim duhet të jetë në axhendën tonë sot më shumë se kurrë. Nën parimin “Building Back Better”, është e domosdoshme, për të mos marrë nga e ardhmja e brezit të ri, të tregojmë përgjegjësi për Shqipërinë që do t’i lëmë brezit të ri.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img