Videoja që po qarkullon në portalet në shqip mbi “vdekjen natyrale” të një 22-vjeçare iraniane të arrestuar nga Policia e Moralit, nuk mund të shfajësojë dhunën që është ushtruar ndaj vajzës gjatë arrestimit të saj. “Faktoje” zbulon më tej provat që rrëzojnë këtë propagandë të qeverisë iraniane, që për fat të keq, ka shërbyer si “ushqim” edhe për konspiracionistët shqiptarë.

Patris Pustina

Faqja konspiracioniste e Facebook, Rezistenca, ka publikuar më 22 shtator një video që pretendon se tregon momentet e vdekjes për shkaqe natyrale të 22-vjeçares iraniane Mahsa (Jina) Aminit në qendrën e ‘riedukimit’ të Policisë së Moralit, ngjarje e cila ka ndezur një valë protestash në shtetin islamik. Në video shihet një grua e re që humb ndjenjat papritur. Video shoqërohet me pyetjen tendencioze “Kjo është video në momentin që ajo bije në tokë, a ka rënë prej rrahjes apo prej arsyeve të veta shëndetësore?” Shkrimi shoqërues përfundon duke thënë se “Vdekja e saj mund të ketë ardhur nga arsye të ndryshme duke u bazuar dhe tek video.”

Më 13 shtator 2022, Mahsa Amini u arrestua nga Policia e Moralit në Teheran. Policia e Moralit është një njësi speciale që imponon kodin strikt të veshjes për gratë, siç është vënia e detyruar e shallit në kokë. Vëllait të saj, i cili ishte me të gjatë arrestimit, iu tha se Amini do të dërgohesh në një qendër riedukimi për një ‘leksion informues’ dhe do të lirohesh për një orë. Pas dy orësh, atij iu tha se e motra kishte pësuar një atak në zemër, dhe hemoragji cerebrale. Ajo u dërgua në spital, ku qendroi në koma për dy ditë. Më 16 shtator, Mahsa Amini vdiq.

Video e postuar nga “Rezistenca” është bërë publike fillimisht nga autoritetet iraniane, për të ‘provuar’ linjën e tyre se Amini vdiq nga një atak në zemër, jo nga dhuna policore. Video nga kamerat e sigurisë tregon një grua, që ata pretendojnë se është Amini, duke biseduar me një oficere policie në qendrën e riedukimit. Pas një bisede të shkurtër, gruaja vendos duart në kokë, kapet te një karrige, dhe më pas humb ndjenjat. 

Babai i Mahsa Aminit pretendoi se kjo video ishte e falsifikuar. Familja e Aminit ka thënë gjithashtu se ajo nuk vuante nga probleme të zemrës. 

Duke verifikuar më në detaje videon e publikuar, konstatohet se rreth sekondës së 20-të, ndryshon ndriçimi në dritaren e sallës ku është realizuar filmimi, duke krijuar dyshimin se kohëzgjatja e videos nuk është reale duke kaluar nga dita në natë, si shihet më poshtë. Vëllai i Aminit, ndërkohë, tha se jo më shumë se dy orë kishin kaluar nga arrestimi i saj tek dërgimi në spital.

Megjithatë, e modifikuar apo jo, video si provë e vetme nuk provon se Amini vdiq nga “arsye të veta shëndetësore.”

Sipas dëshmitarëve, Amini nuk u dhunua në qendrën e riedukimit, por përpara se të mbërrinte atje, në furgonin e policisë. Kushëriri i Aminit tha se një nga grate e arrestuara me Aminin i kishte treguar se në furgonin e policisë ajo ishte “fyer dhe torturuar”. Vëllai i saj tha se fytyra e Aminit “ishte enjtur dhe këmbët i kishte të nxira”.

Vdekja e papritur pas traumës në kokë nuk është e pazakontë. Boksierët Angelo Jacopucci dhe Scott Westgarth vdiqën si pasojë e traumës në kokë pas disa orësh gjatë të cilave nuk shfaqën asnjë shenjë dëmtimi. 

Si pasojë e goditjeve në kokë, njeriu mund të humbasë jetën brenda pak orësh. Pas impaktit të parë, truri pëson një trauma të vonuar, dhe enjtet, duke u ngjitur me kafkën dhe duke ulur rrjedhjen e gjakut të pasur me oksigjen. Kjo quhet lëndim dytësor, i cili është shpesh më i dëmshëm se lëndimi parësor (lëndimi që ndodh në momentin e impaktit).

Për të rrëzuar shumë pikëpyetje që mund të ngrihen nga videot e publikuara nga burime qeveritare në Iran, shërben skaneri i kokës i viktimës, i cili tregoi se ajo kishte frakturë kocke, hemoragji dhe edemë, dëmtime që tregojnë se ajo ishte goditur në kokë. Mjeku iranian, Dr. Hossein Karampour, në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Mjekësor Iranian, tha se fotot e Aminit në spital tregonin se ajo kishte gjakderdhje nga veshi dhe të nxira poshtë syve, “simptoma konsistente me goditje në kokë”.

Organizata e të drejtave të njeriut Iran Human Rights raporton se të paktën 76 protestues janë vrarë deri tani në protestat që pushtuan vendin pas vdekjes së Mahsa Aminit. Qeveria ka kufizuar gjithashtu aksesin në internet. Teherani ka akuzuar ShBA dhe disa vende europiane se po përdorin trazirat për të destabilizuar Republikën Islamike.