Deri më 5 nëntor – Aplikoni!
Faktet sot kanë rëndësi më shumë se kurrë! Faktet shpëtojnë jetë! Ky slogan u kthye në një realitet të prekshëm gjatë pandemisë që kaploi vendin dhe botën, duke e zhytur atë në infodemi. E angazhuar në luftën kundër dezinformimit dhe infodemisë, “Faktoje” vijon projektin “Forcimi i komuniteteve lokale për të luftuar dezinformimin dhe propagandën gjatë pandemisë Covid -19”. Ftohen gazetarë nga 6 qytete për të punuar shkrime, duke u mbështetur në metodologjinë e standardizuar të verifikimit të fakteve. Gazetarëve u ofrohet mundësia të shkruajnë mbi problematikat e krijuara nga pandemia e COVID-19 në qytetet e tyre dhe artikujt do të publikohen nga Faktoje.
Përshkrim i projektit:
Qendra “Faktoje” do të vijojë zbatimin e projektit “Forcimi i komuniteteve lokale për të luftuar dezinformimin dhe propagandën gjatë pandemisë Covid-19”. Ky projekt mbështetetet nga US State Department’s Global Engagement Center dhe USAID. Për zbatimin e këtij projekti do të kërkohet angazhimi dhe bashkëpunimi me gazetarë lokalë në 6 rajone të vendit: Durrës, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër. Ky projekt do të zbatohet përgjatë periudhës shtator-nëntor 2020. Monitorimi dhe raportimi me fakte dhe me profesionalizëm në këtë kohë pandemie, është shumë i rëndësishëm. Faktoje si organizata e parë Fact-Checking në Shqipëri, pjesë e rrjetit ndërkombetar të IFCN, do të kërkojë zbatimin e një metodologjie profesionale nga të gjithë gazetarët në mënyrë që të realizohet identifikimi i fakteve të rreme, ndalja e dezinformimit dhe propagandës në këtë periudhë pandemie, ku lajmet e rreme jo pak herë kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve.
Objektivat e projektit:
Ky projekt ka dy qëllime kryesore:
- Raportimin mbi rolin dhe qasjen e institucioneve vendore, për marrjen e masave ndaj pandemisë dhe cilësinë e zbatimit të këtyre masave, me fokus në verifikimin e fakteve dhe ekspozimin e lajmeve të rreme,
- Raportim mbi mënyrën se si grupet më të rrezikuara:, komuniteti rom dhe/ose egjyptian, familjet që duhet të kujdesen për persona të sëmurë, personat me aftësi të kufizuara, familjet që jetojnë vetëm me asistencë sociale, personat e moshuar që jetojnë vetëm, etj, po e përballojnë këtë situatë, nevojat me të cilat hasen dhe adresimin e këtyre nevojave tek institucionet përkatëse. .
“Faktoje” do të kërkojë që gazetarët të sjellin raportime të mbështetura në evidenca, burime në komunitete, deklarata dhe premtime duke respektuar metodologjinë e verifikimit të fakteve.
Grupet e interesit:
“Faktoje” fton të gjithë gazetarët dhe profesionistët e mediave që mbulojnë çështjet sociale, ekonomike ose aktualitetin të aplikojnë për të qënë pjesë e ketij projekti.
Procedura është e thjeshtë:
Duhet të sillni një CV tuajën dhe të plotësoni formularin në link më poshtë:
Gazetarët që aplikojnë duhet të sjellin ide dhe sugjerime mbi lajmet, temat apo raportime që duan të zhvillojnë gjatë këtij projekti.
Dokumentat përkatëse duhet t’i dërgoni në adresën tonë info@faktoje.al.