Thirrja e Dytë për Projekt Propozime: Promovimi i Edukimit Mediatik dhe Informativ
Thirrja e Dytë për propozime është pjesë e projektit rajonal “Rrjeti SEECheck – Luftimi i Dezinformimit dhe Keqinformimit përmes një Rrjeti të Verifikuesve të Fakteve”, i cili po zbatohet nga rrjeti SEECheck në partneritet me “Faktoje” nga Shqipëria dhe “Open Data Kosovo”, me mbështetjen e Komisionit Evropian. Projekti përfshin dhënien e granteve afatshkurtra që synojnë forcimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile (OSHC) dhe mediave për të kundërshtuar dezinformimin në hapësirat e tyre publike. SEECheck është një rrjet i përbërë nga gjashtë organizata të verifikimit të fakteve nga pesë vende të Evropës Juglindore, të cilat punojnë për të promovuar llogaridhënien mediatike, përmirësimin e edukimit mediatik dhe luftimin e keqinformimit dhe dezinformimit. Portalet e verifikimit të fakteve që bëjnë pjesë në rrjetin SEECheck përfshijnë: Raskrinkavanje.ba (Bosnje-Hercegovinë), Raskrinkavanje.me (Mali i Zi), Raskrikavanje.rs (Serbi), Razkrinkavanje.si (Slloveni), Faktograf.hr (Kroaci), dhe Fakenews.rs (Serbi).
Konteksti
Adresimi i dezinformimit dhe angazhimi efektiv me audiencat përbën një sfidë të rëndësishme për verifikuesit e fakteve. Rritja e fundit e përhapjes së dezinformimit, veçanërisht gjatë ngjarjeve globale si pandemia e COVID-19 dhe agresioni kundër Ukrainës, ka kontribuar në përforcimin e qëndrimeve negative ndaj verifikimit të fakteve, të nxitur nga grupe agresive si teoricienët e konspiracionit dhe ndjekësit e tyre. Qëllimi kryesor i këtij programi nën-grantesh është forcimi i kapaciteteve të mediave lokale dhe organizatave të shoqërisë civile (OSHC) në rajonin e Evropës Juglindore për të luftuar kaosin informativ, për të përmirësuar integritetin e mediave lokale dhe për të rritur qëndrueshmërinë e komuniteteve ndaj dezinformimit, me fokus në nismat që synojnë audiencën lokale. Rrjeti SEECheck, së bashku me partnerët e tij, do të ndajë gjithsej 20 grante në dy thirrje për propozime projektesh në të gjithë rajonin, për të ndihmuar organizatat dhe mediat lokale të rrisin edukimin mediatik në mesin e audiencave të tyre, të prodhojnë raportime më të besueshme dhe të zhvillojnë kundër-narrativa ndaj dezinformimit.
Grantet
Rrjeti SEECheck dhe partnerët e tij ofrojnë grante afatshkurtra për projekte që zgjasin nga tre deri në gjashtë muaj. Shuma e granteve varion nga 5,000 deri në 12,000 euro. Aplikimi për Raundin e Dytë të Thirrjes së Hapur për grante në vitin 2025 është tashmë i hapur, me 10 grante që do të ndahen në një shumë totale prej 103,500 euro. Mediet lokale dhe OSHC-të ftohen të aplikojnë në Skemën e Granteve të SEECheck sipas dy LOT-eve:
LOT 1:
Mbështetje për nisma të mediave lokale për të forcuar kapacitetet për verifikimin e fakteve dhe raportimin e besueshëm. Këto grante synojnë entitetet e mediave lokale që kërkojnë të angazhohen në aktivitete të verifikimit të fakteve apo të prodhojnë përmbajtje të besueshme, përfshirë shpërbërjen e dezinformatave apo krijimin e narrativave të bazuara në fakte. Projektet duhet të rezultojnë në prodhimin dhe promovimin e kësaj përmbajtjeje, si dhe në forcimin e kapaciteteve të stafit gazetaresk dhe redaksional. Një angazhim afatgjatë për prodhimin e përmbajtjes së specializuar dhe zhvillimi i procedurave të brendshme për të siguruar saktësinë dhe besueshmërinë e përmbajtjes do të përbëjë avantazh në procesin e përzgjedhjes. Grantet gjithashtu mund të mbështesin prodhimin e përmbajtjes tërheqëse të përshtatur për audienca specifike.
LOT 2:
Mbështetje për OSHC-të lokale për të forcuar kapacitetet në luftën kundër dezinformimit, promovimin e edukimit mediatik, ose ndërtimin e qëndrueshmërisë. Këto grante synojnë të fuqizojnë OSHC-të lokale në rajonin e Evropës Juglindore për të ndërmarrë aktivitete që forcojnë aftësinë e tyre për të kundërshtuar dezinformimin. Projektet mund të përfshijnë nisma komunitare, fushata online, prodhim dhe promovim të përmbajtjes multimediale, kërkime, avokim, veprime politike, trajnime ose aktivitete të tjera që përputhen me objektivat e këtij LOT-i. Përparësi do t’u jepet nismave që sigurojnë angazhim të vazhdueshëm të OSHC-ve në fushat e sipërpërmendura. Të gjitha propozimet duhet të dorëzohen elektronikisht në adresën e emailit: info@zastone.ba, me subjekt emaili: ‘[Emri i Aplikantit] – Aplikim për Projektin e Rrjetit SEECheck’. Propozimet duhet të pranohen deri më 30 korrik 2025. Propozimet e vonuara, ose ato të dorëzuara me mënyra të tjera nga ato të specifikuara, nuk do të merren në konsideratë. Të gjitha propozimet dhe të dhënat përkatëse, njohuritë dhe dokumentet do të trajtohen në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) (Rregullorja (BE) 2016/679 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 27 prill 2016). Të gjitha pyetjet dhe kërkesat për informacion mbi projektin mund të dërgohen në adresën e emailit: info@zastone.ba, jo më vonë se 20 korrik 2025.
Formularin e Aplikimit mund ta gjeni në këtë link. Formularin e Buxhetit mund ta gjeni në këtë link. Për më shumë informacion mbi kriteret e pranueshmërisë, përzgjedhjes, financimit, kostot, trajnimin dhe mentorimin si dhe procesin e përzgjedhjes së aplikimeve të pranueshme, ju lutemi referojuni teksti i plotë i hirrjes në këtëlink.
Projekti rajonal “Rrjeti SEECheck – Luftimi i Dezinformimit dhe Keqinformimit përmes një Rrjeti të Verifikuesve të Fakteve” zbatohet nga Rrjeti SEECheck me mbështetjen e Bashkimit Evropian.