Të internuarit e demokracisë

Nga: Sebi Alla
Fotografitë: Atdhe Mulla

Ferri ngjan se ka mbërritur në tokë, për të zënë vend në ish-kamp-burgun e Torovicës në Lezhë, aty ku ende frymojnë 31 banorë të ndarë në tetë familje. Dy gra luten me zë ballë statujës së vogël të Shën Marisë, teksa shtrëngojnë në duar kryqin dhe librin e shenjtë. Dëgjojmë të kërkojnë mbarësi dhe shëndet, duke premtuar se do ndjekin udhën e drejtë të Perëndisë… Por udha që të çon në ish-burgun dhe kampin e internimit për të dënuarit politik të kohës së komunizmit, është e mundimshme. Vuajtësit ikën në vitin 1991, por kampet e kohës së errët vijuan të mbajnë të “dënuar” me dëshirë…!

“Halli bir, halli na solli, e halli na mban. Nuk kemi ujë, nuk kemi mbështetje, nuk kemi energji elektrike, na kanë harruar”,
Marie Velaj

Gjetën mjerimin

Kampi i internimit i zaptuar, blerë e riblerë nga banorë që zbritën në fillim të viteve 90’ kryesisht nga zonat e thella të Pukës, Mirditës dhe Tropojës, vijon të jetë i njëjtë, aq sa as koha nuk e bren, për të sfiduar gjithë sistemin dhe treguar me heshtje se “internimi” vijon…  Kërkuan tokë të mirë dhe afërsi me “qytetërimin”, por ajo që gjetën nuk përngjan fare me këtë ëndërr që ka mbetur e tillë edhe sot e kësaj dite. “Halli bir, halli na solli, e halli na mban”, thotë 63-vjeçarja Marie Velaj, e zbritur nga malësia e Rubikut në vitin 1991.
Erdhi për një jetë më të mirë, por ajo që gjeti atëkohë, dhe ajo që ka tashmë pas 33 vitesh jetesë aty, është varfëria, dëshpërimi dhe thirrja e vazhdueshme që dikush nga qeveria lokale dhe qendrore të mendojë për të dhe shtatë familje të tjera. “Nuk kemi ujë, nuk kemi mbështetje, nuk kemi energji elektrike, na kanë harruar”, thotë Maria, ndërsa pas çdo fjalie shton: “Jetojmë njësoj e mos më keq se të internuarit në atë kohë”. 

Këtë shtëpi e kam blerë
9 milionë lekë (të vjetra), para
11 vitesh. Erdha nga Tropoja, por vuajtjet nuk mu ndanë,
Niman Osmani

Britje e lirshme!

Ndoshta ndër të vetmet ndryshime të asaj bote (komunizmit) me botën e së tashmes (demokracisë), është se mund të ankohet hapur ndaj pushtetit që nuk ka investuar asgjë aty, por pa pasur frikën se do e “ridënojnë” për agjitacion e propagandë kundër shtetit. Fundja, në repartin ku dikur qëndronin policët, jeton Niman Osmani me bashkëshorten dhe vajzën e tij, edhe ai një hallemadh fort i ngjashëm me familjet e tjera. “Këtë shtëpi e kam blerë 9 milionë lekë (të vjetra), para 11 vitesh. Erdha nga Tropoja, por vuajtjet nuk mu ndanë”, thotë Osmani, ndërsa me një kosore të vjetëruar mundohet të pastrojë ferra e barëra të egra, që i kanë zënë pragun e oborrit të vogël. I thotë shtëpi pikërisht godinës së vogël, por më të fisme nga të tjerat ku qëndronin të privilegjuarit policë dhe gardianë. “Kjo shtëpi është shitur tre herë, unë jam i katërti”, pohon Osmani, ndërsa për dokumente pronësie as nuk bëhet fjalë t’i ketë.

Kampi

I gjithë kampi rezulton objekt shtetëror, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, pasi ende në zërin kadastral figuron “kamp internimi”. Në fillim i zunë disa banorë të zonës nën pretendimin se aty ishin tokat e të parëve. Të tjera u zaptuan nga “më të zotët”, (disa të vetëshpallur të fortë), për t’ua shitur më pas hallexhinjve që vinin nga zona të thella. “Në fillim kur kam ardhur këtu isha me shpresën se do të qëndronim pak kohë dhe do iknim, në Lezhë, apo Tiranë”, thotë Ndue Velaj, bashkëshorti i Maries.

"Sot bashkë gëzon një pension 19 mijë lekë dhe 9 mijë që i merr bashkëshortja. Mbahen disi, por thotë që çdo gjë brenda banesës janë munduar ta rregullojnë" - Cifti Ndue dhe Marie Velaj

E tashmja

Ajo kohë nuk erdhi, tashmë që është 74 vjeçar i gëzohet vetëm faktit që fëmijët janë rregulluar, dy jashtë vendit e dy të tjerë në Lezhë, edhe ata me halle, por më mirë se prindërit, jeta e të cilëve është më shumë se gri, gati mjaft e ngjashme me zymtësinë e katër ndërtesave që shërbyen dy si kamp dhe burg për të dënuarit politik.
Dy nga katër fëmijët (që i ka) i  lindi pikërisht në këtë kamp, dy dhomat e së cilës i ktheu në banesë. Sot bashkë gëzon një pension 19 mijë lekë dhe 9 mijë që i merr bashkëshortja. Mbahen disi, por thotë që çdo gjë brenda banesës janë munduar ta rregullojnë, por ajo që shihet është një rrëmujë sendesh dhe erë varfërie. Sytë i kthejnë nga shteti e paçka se prej tij nuk kanë marrë asgjë veç premtimeve të pambajtura sërish aty ankohen e kërkojnë.

“Një nga telat e energjisë që çon dritë në shtëpinë time kalon tek ai haur, ra teli dhe u mbyt në korrent lopa e komshiut”, tregon ai, me brengën e madhe të dëmit”, Niman Osmani

“Jemi të varfër, por njerëz jemi edhe ne. Ujin e blejmë 1 mijë lekë bidoni. Për tu larë si njerëz (në dysh) as që bëhet fjalë”, thotë Maria, ndërsa tregon një kazan të vjetër që shërben për ngrohje uji dhe larje me kanaçe.
Rruga deri në një pjesë të fshatit Malecaj është relativisht e mirë, por kthesa që të shpie drejt kampit e deri në atë vend aty i ngjan një shtegu që të paralajmëron se ‘diktatura  proletariatit i ndëshkon armiqtë e partisë’. “Rrugë jo, ujë jo, energji e zymtë që shpesh ikën, ambulancë as që bëhet fjalë”, tregon Maria.

Lopa e “vdekur” në kamp

Tre tela energjie varen frikshëm mbi kokat e banorëve. Janë ende shtyllat e kohës së komunizmit që çojnë pak dritë në kampin terr. “Jam ankuar disa herë tek OSHE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë), për të ndryshuar rrjetin pasi për shumë vite nuk është vënë dorë”, thotë Nimani, i cili më pas tregon edhe hallin e madh… “Një nga telat e energjisë që çon dritë në shtëpinë time kalon tek ai haur, ra teli dhe u mbyt në korrent lopa e komshiut”, tregon ai, me brengën e madhe të dëmit, por edhe telasheve sepse të humbësh një lopë në këtë kulm varfërie është shumë, gati si burim kryesor i “të ardhurave mujore”. Nimani e ngre ca më shumë zërin kur flet për ata të OSHE-së, më shumë se për ta dëgjuar ne, fjalët t’i shkonin në vesh të komshiut se ishte pa faj në “vdekjen e lopës”, pasi fajtori qëndron diku në shtet…

“Kujtohen të vijnë pushtetarët, por kur ka zgjedhje.
Na premtojnë shumë pastaj na lenë për të ripremtuar
sërish pas katër vitesh të njëjtat gjëra”

Premtimet

“Kujtohen të vijnë pushtetarët, por kur ka zgjedhje. Na premtojnë shumë pastaj na lenë për të ripremtuar sërish pas katër vitesh të njëjtat gjëra”, thotë mjaft rrjedhshëm Maria, e cila ka një lloj protagonizmi se di të artikulohet. “Këtu në vitin 2013 ka ardhur edhe Edi Rama, premtoi shumë se ishte akoma në opozitë atëherë. Tani nuk kujtohet më”, vijon me një lloj thumbimi ironik Maria. Pak më larg, si në ndrojtje të theksuar për punën e lopës së humbur aksidentalisht Niman Osmani vijon me hallin e energjisë: 
“Do shkoj prap, do ia zë derën e zyrës drejtorit derisa të zgjidhet kjo punë”.

Frika

Këtu në Torovicë, veçanërisht në ish-kampin e burgut dhe internimit punët nuk zgjidhen, të paktën me shtet. “Asnjë investim në ujësjellës, kanalizime, energji apo rrugë”, thotë Preng Gjoka, një ish-banor që ka vite që është larguar dhe atëditë ndodhej rastësisht për të takuar fqinjët e dikurshëm të tij, dy të moshuar që nxitojnë të ikin për t’iu “shmangur” gazetarëve…! Nuk e kuptuam pse kanë frikë të flasin, pasi fjala këtu është e vetmja që tentohet të thuhet lirshëm.

Në shtëpinë e Paçramëve dhe Lubonjave

Kërkojmë për emra të njohur që kanë bujtur pa dëshirën e tyre në atë kamp ferri dhe ata pak banorë që kanë mbetur njëzëri na drejtojnë në cepin e godinës së kampit, specifikisht në katin e parë. “Këtu ka jetuar familja e internuar e Fadil Paçramit. Ndërsa ngjitur familja e Todi dhe Fatos Lubonjës”, thotë Ndue Velaj, dëshmitari i parë i kohës që ka parë sesi pas lirimit erdhën dhe morën pak rroba ç’kishin mbetur. Fati i keq për ta erdhi në Pleniumin e IV-të të PPSH-së që u mbajt më 26-28 qershor 1973, Todi Lubonja drejtor i RTSH-së dhe Fadil Paçrami Ministër i Arsimit dhe Kulturës, u shënjestruan nga Enver Hoxha në një fushatë kundër liberalizmit dhe “ndikimeve të huaja”, kjo e lidhur me festivalin e 11 të RTSH-së, ku u akuzuan për “shfaqje të huaja” dhe “liberalizëm”.
Todi Lubonja pasi kreu 13 vite burgim u lirua në vitin 1987 dhe u internua pikërisht në Torovicë deri në vitin 1990, ndërsa familja e tij vuajti internimin po në Torovicë që nga viti 1973. Gjithashtu edhe Fadil Paçrami dhe familja e tij pësoi të njëjtin fat po për të njëjtat akuza e po në një vend internimi.

Asgjë nuk ka ndryshuar

Katër godinat kanë shërbyer në sistemin komunist fillimisht nga viti 1956-1963 si burg, për të dënuar të cilët detyroheshin të punonin në tharjen e kënetave, por të rrethuar me tela kloni dhe roje gardianësh, policësh dhe inspektorëve të Sigurimit të Shtetit.
Dokumentet janë të pakta, por dëshmitë e banorëve përçart thonë se kanë jetuar mbi 300 të dënuar dhe internuar, që vinin e iknin në kohë të ndryshme.
Pas vitit 1963 ai vend u kthye në kamp internimi, ku nuk u lejohej të lëviznin nga zona pa leje dhe ishin nën survejimin e vazhdueshëm të policisë dhe sigurimit të shtetit. Koha bren edhe muret, por aty në Malecaj të Torovicës këto kampe i kanë jetuar çdo kohe.

“Partia është truri dhe zemra e popullit.
Rroftë Komiteti Qendror
i PPSH me në krye shokun Enver Hoxha”, parulla në hyrje të një prej godinave

“Partia është truri dhe zemra e popullit. Rroftë Komiteti Qendror i PPSH me në krye shokun Enver Hoxha”, kjo është parulla e vendosur mu bash në hyrje të një prej godinave të kampit e cila kishte shërbyer për administratën dhe mensë. Askush nuk ka vënë dorë as ta fshijë, jo se duan të kujtojnë të shkuarën që historitë të mos përsëriten, por edhe këtë kohë kurrkush nuk “guxon” të dalë jashtë atij kampi hijerëndë! Maria ishte 29 vjeç kur erdhi në “kampin e internimit”, shpresëplot se jeta do i ndryshonte për mirë. Tre dekada më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar për të dhe 30 banorët e tjerë, të “internuar” në kohë Demokracie. “Jetesa është si në kohën e internimit, por jam e lirë të shkoj në Lezhë e gjetkë, pa i marrë leje kujt”, thotë Maria dhe pohohet si fjalë me vend edhe nga bashkëshorti Ndue.

Gjurmët

Gjurmët e pasojave të komunizmit janë kudo, asgjë nuk është prekur nga kampi hijerëndë. I vetmi “investim i ri” është ajo statujë e vogël e së Shenjtës Mari, të cilët ata që kanë mbetur e kthyen në vend të shenjtë. Të vetmes që ende i besojnë!