Pasi kthen kokën pas e anash, (me frikën mos e dikton kush), na drejton me droje pranë tubit që shkarkon mbetje nafte e cila bashkohet me ujërat e zeza për të marrë udhë nga Zharrëza drejt Semanit. “Në zonën e Patos-Marinzës ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë ndoten seriozisht nga puset e naftës, gjatë nxjerrjes me pompa, nga tubacionet dhe impiantet para trajtimit dhe në ajër shkarkohet gazi sulfurik dhe hidrokarbure të ndryshme. Ujërat e përdorur nga këto impiante shkarkohen në lumin Gjanicë, ku përveç përbërësve të naftës kanë edhe lëndë toksike”, konstaton raporti.
Një mesoburrë, ndërsa lan një makinë, tregon se ndotja është e madhe, sidomos kur shpimet në thellësi bëheshin me shpërthime eksplozivi. “Vendosej eksploziv, por banorëve kur ankoheshin i thonim se ka pasur tërmete. Kam shumë vite që punoj te Bankers Petrolium kur e kishin kanadezët dhe tani që e kanë edhe kinezët. Jam zjarrfikës dhe në ndërhyrjen e shpejtë në repartin e avarive”, thotë ai, ndërsa shton: “Unë e di se çfarë bëhet aty me shëndet e abuzime, por nuk dal dot hapur”. Më pas, justifikohet: “është buka e gojës në mes”.
Lëmë disi pas Zharrëzën për të kalur nga Marinza, ku edhe aty halli është i njëjtë. “Në një mënyrë apo një tjetër jemi të lidhur me naftën. Këtu punojmë, në shpime, sigurinë e puseve dhe depozitave, apo në transport, nafta na mban e nafta na han”, thekson një i moshuar që ka dalë në pension. Mjekët në Tiranë më udhëzuan që të ndiqesha nga një hematolog, se kam probleme me gjakun”, thotë ai.
Në dy qendra shendetësore, në atë të Zharrëzës dhe spitalin bashkiak të Roskovecit janë me mijëra analiza të “kontrollit bazë”, ku ndër ta është edhe ajo e gjakut. “Ka një ndjekje të rregullt me analiza dhe kur konstatojmë probleme që lidhen me të dhëna shqetësuese në gjak I rekomandojmë ndjekjen tek hematologët”, thotë një mjeke e Spitalit të Roskovecit, ndërsa pranon se “nuk ka statistikë dhe analizim mbi shkaqet e sëmundjeve në disa raste kancerogjene, kryesisht në gjak dhe prekjen e organeve në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Në Zharrëz, qendra e vogël shëndetësore ka një mjek dhe dy infermiere, por prania e medias është “patologji shqetësuese” për ta dhe nuk pranojnë të japin të dhëna mbi sëmundshmërinë dhe ankesat e banorëve, se po sëmuren nga ndotja si pasojë e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës.
“Lidhur me të dhënat e administruara nga Roskoveci, krahasuar me ato të 2 qendrave shëndetësore Marinëz dhe Kuman, situata shfaqet problematike, duke vënë në diskutim informacionin e dërguar nga NjVKSh – Fier”, thotë KLSH, pasi ka marrë në shqyrtim të dhënat që vijnë fillimisht nga qendrat shëndetësore me aktivitet të lartë të ndotjes nga nafta, por edhe në rang bashkie. Për vitin 2018, në gjithë Roskovecin deklarohen 30 të sëmurë malinjë, ndërsa për dy qendra shëndetësore Kujan dhe Marinëz (zona me aktivitet naftënxjerrjen) raportohen 22 persona, më tej për 2021 deklarohen 25 në gjithë Roskovecin prej të cilëve 21 nga këto 2 qendra shëndetësore. “Për vitin 2022, deklarohen 25 për gjithë Roskovecin, ndërkohë për këto 2 qendra shëndetësore deklarohen 28 të sëmurë, pra 3 më shumë. Për vitin 2023, deklarohen 37 për gjithë Roskovecin, ndërkohë që vetëm në 2 QSH deklarohen 28 të sëmurë malinjë, dhe për vitin 2024, deklarohen 30 për gjithë Roskovecin, ndërkohë që vetëm në 2 QSH deklarohen 27 të sëmurë malinjë”, thotë KLSH teksa pranon se “të dhënat paraqesin mangësi”, duke lënë hapësirë për fshehjen reale të të sëmurëve.