Pyetja që kërkon përgjigje më shumë se nga ekspertë duhet të vijë nga Prokuroria e Durrësit, e cila po diskuton hapjen e hetimeve kryesisht për akuzën: “shkatërrim i pronës me pasoja të rënda; dhe shpërdorim detyre”. Kjo nisur edhe nga fakti se në duar ka një rast të rëndë për t’i dhënë përgjigje. Një 54-vjeçar punonjës i ndërmarrjes komunale Plazh Durrës, u gjet i mbytur nga polumbarët në një kanal kullues pranë zonës së Plepave.
Ankesa kudo, bashkë me pikëpyetjen nga erdhi kjo fatkeqësi, nga Zoti, natyra të cilët Durrësin e përmbytën nga padija apo interesat e vogla të treshes; pushtet qëndror-pushtet lokal-biznes?!. “Mbyllja e hidrovorit të vjetër dhe spostimi i hidrovorit të ri në një kuotë më të lartë kanë sjellë këtë pasojë katastrofike”-thotë për Faktoje.al, inxhnieri hidro dhe i porteve, Tomor Spahiu.
Dalja jashtë funksionit e hidovorit të vjetër u bë për t’i hapur rrugë ndërtimit të portit të ri tregtar, që sot shërben kryesisht për çisternat e naftës. Për ekspertin Spahiu, por edhe shumë studiues të tjerë, kjo solli pasojën katastrofike që po kalon Durrësi sot, por me gjasë do e përjetojë në çdo kohë. “Spostimi i hidrivorit u bë për t’i krijuar fasilitet Kastratit”, thekson Spahiu.
Durrësi është një zonë që preket nga përmbytjet dhe jo pa qëllim që nga viti 1928 funksiononin dy kanale të mëdha kulluese. I pari shtrihej nga Vila e Zogut deri në Porto Romano, ndërsa i dyti nga Shën Avlashi deri në Plepa. “Të dyja këto kanale janë bllokuar. Nuk di me çfarë logjike, me çfarë ekspertize e me çfarë qëllimi ka ndodhur kjo situatë”, thotë inxhinier Spahiu. Sipas tij, studimet e mëparshme inxhinierike ishin të sakta dhe efikase, fillimisht nga austriakët ndërmjet luftës së Parë Botërore, më pas nga italianët, sistemi komunist dhe vijuar deri katër vite më parë. “Durrësi nuk duhej të përmbytej. Përveç dy kanaleve kryesore që u bllokuan një tjetër arsye madhore e përmbytjeve është spostimi i hidrovorit”, sugjeron Spahiu. Hidrovori i vjetër ishte në kuotën më të ulët të Durrësit dhe tërhiqte të gjithë sasinë ujore, por tre vite më parë hapësira e hidrovorit i kaloi kompanisë Kastrati që do të niste aty ndërtimin e portit të ri tregtar, i cili sot shërben kryesisht për ankorimin dhe më pas shkarkimin e cisternave të naftës dhe nënprodukteve të saj.
Pasi dhanë për zhvillim portual hapësirën e hidrovorit të vjetër, në nëntor 2021, Bashkia Durrës hapi garën për ndërtimin e hidrovorit të ri. Me fondin 20.5 milionë euro tre kompani, bashkim operatorësh, morën përsipër ndërtimin e kësaj vepre, por vendi ku do ngrihej edhe sot sjell çudi, sidomos në aspektin inxhinierik. “Hidrovori i ri është bërë në kuotë të lartë, është pothuajse jo funksional”, thekson eksperti Spahiu. Gazetari Geri Emiri, drejtues i medias Afora dhe banor i Durrësit, tha për Faktoje.al se investimet për hidrovorin e ri, apo devijimi i kanaleve kulluese solli përkeqësim të situatës së përmbytjeve. “Investimet kanë sjellë devijime të kanaleve ekzistuese që megjithëse ishin ndërtuar për ujërat e shiut nga kodrat dhe tokat bujqësore, shërbejnë edhe si “kanalizime të hapura” për ujërat e përdorura të zonave periferike të qytetit”, thotë Emiri.
Më tej shton se: “Ndërtimi nga qeveria shqiptare dhe vendosja në funksion e një hidrovori të ri po në zonën e Porto-Romanos, nuk ka sjellë përmirësime të dukshme në përballimin e përmbytjeve në qytet, përkundrazi që prej vitit 2025 ato po vijnë dhe po zgjerohen në hartën e zonave që prekin”. “Në disa hulumtime në Median Amfora ne kemi dokumentuar sesi Ujësjellësi i Durrësit që prej vitit 2013 ka marrë mbi 150 milion euro kredi për të investuar në rrjetin e ujësjellësit dhe të kanalizimeve, por dukshëm nuk ka arritur që ta përmirësojë situatën në terren”, thotë Emiri.