Fshati që tërhoqi krimin, politikën dhe drejtësinë

Nga Sebi Alla
Fotografitë: Atdhe Mulla

Shiriti me mbishkrimin “Pronë e Sekuestruar” mungon, dhe jo pa arsye. Do të duhej “tender i hapur” për rripat që rrethojnë 106 mijë metra katrorë tokë arë, pyje dhe vila, në emër të emrave të panjohur për fshatarët aty, por shumë të njohur për publikun, politikën, krimin dhe drejtësinë. 

Në buzë të lumit Erzen, ndanë autostradës Tiranë-Elbasan ndodhet fshati Qeha, duke vijuar me Shytaj dhe Mangull, pjesë e Njësisë Administrative Petrelë.

 

Ky vend i mbuluar nga gjelbërimi, kodrina tërheqëse dhe afërsi me kryeqytetin, është parë si oaz ku personazhe të proceduar për lidhje me krimin, zyrtarë të lartë publik, por edhe në majat e drejtësisë, të përvetësojnë pyje dhe blejnë toka bujqësore në zonat përreth. 

Pyjet e Aga(s)it

Vendndodhja e kompleksit “Equos Resort”, në dalje të fshatit Qeha, ndjell interes.

Agjentë të BKH-së dhe policisë, më 16 dhjetor të vitit të kaluar shkuan për të kontrolluar nëse Ergys Agasi i akuzuar për përfshirje në grup të strukturuar kriminal, shantazh, pengmarrje dhe ndikim në përcaktimin e tendera të AKSH-it, ndodhej ose jo në një nga shumë banesat e tij. 

Agasin nuk e gjetën, por në qilarin e një prej vilave (afër kompleksit) u zbulua një sasi e madhe vere në vlerën mbi 1.5 milionë euro.

 

Agasin nuk e gjetën, por në qilarin e një prej vilave (afër kompleksit) u zbulua
një sasi e madhe vere në vlerën mbi 1.5 milionë euro.

Për ta kjo ishte një provë me rëndësi, por natën vonë u zhduk e gjitha, duke i lënë BKH-së vetëm një fletë inventari në duar. Këtë të mërkurë, agjentët e BKH-së dhe Policisë së Shtetit shkuan sërish, por këtë herë me një vendim të GJKKO-së për sekuestrimin e pronave që dyshohet se i përkasin Ergys Agasit. Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, vetëm në këtë zonë Agasit i është sekuestruar 59.5 mijë metra katrorë pyll dhe tokë (dhe katër banesa, tre prej të cilave pa leje dhe ende në proces ndërtimi).

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, vetëm në këtë zonë Agasit i është
sekuestruar 59.5 mijë metra katrorë pyll dhe tokë

Mbetet hetim më vete për të zbuluar sesi pylli që në zërin kadastral cilësohet “pronë shtet”, e patjetërsueshme, ka kaluar në emër të Agasit.  

Gjithashtu po në këtë zonë, por në fshatin tjetër ngjitur, Shytaj, SPAK i ka sekuestruar sërish disa parcela tokë arë dhe pyje. Në një pjesë të tyre ka nisur infrastruktura lidhëse me rrugën kryesore, në plan për tu kthyer në kompleks vilash dhe shërbimesh. 

 

Toka e Berberit

Rruga i ndan në njërën anë Agasin dhe Berberin, për t’i bashkuar në copa të tjera toke arë dhe pyjesh, në të njëtën hapësirë, ku sytë në këtë mes pranvere shohin lule shumëngjyrëshe. 

Në mars të vitit 2024, Prokuroria Speciale SPAK njoftoi se kishte kërkuar dhe më pas ishte miratuar nga GJKKO sekuestrimin e disa pasurive në emër të Ervis Berberit

Në mars të vitit 2024, Prokuroria Speciale SPAK njoftoi se kishte kërkuar dhe më pas ishte miratuar nga GJKKO (Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) sekuestrimin e disa pasurive në emër të Ervis Berberit, ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për veprat penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. 

Pesë parcela tokë në total prej 34.2 mijë metrash katrorë e ndodhur në fshatin Mangull u sekuestruan vetëm për “pjesën takuese” të Berberit dhe shoqërisë DAAM.sh.p.k. 

Toka e Llallës

Agasi është “kufitar” edhe me pronën e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, tashmë e konfiskuar. 

Në pjesën lindore të kompleksit “Equos Resort” ndodhen 12.500 metra katrorë tokë arë dhe një pjesë e vogël pyll, e përfituar nga Llalla në kohën kur ishte në drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme, për të cilën SPAK në dhjetor në vitit 2020 kërkoi sekuestrimin e disa pasurive, përfshi edhe të kësaj parcele. 

Infrastrukturë për “elitën”

Në aksin e atostradës Tiranë Elbasan në projektin final ishte parashikuar dalja e parë sipas të gjithë kritereve teknike në fshatin Mullet. Në kohën kur pyje dhe toka arë u blenë ose zaptuan nga individët e pushtetshëm, ndërhyhet në një tjetër dalje në autostradë e cila përkon me fshatin Qeha. Në vijim, aksi Mangull-Kryezi përfiton një tjetër projekt infrastrukturor i cili është në fazën përfundimtare. Rrugë me dy kalime, trotuar dhe ndriçim. Financimi është nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në vlerën 205 milionë lekë me tvsh.

“Po të mos ishte për çunat që kanë blerë toka e pyje këtej, ne nuk na sillte shteti rrugë”, thotë një banor kalimthi, pasi askush nuk do “që të përzihet me ta”

“Po të mos ishte për çunat që kanë blerë toka e pyje këtej, ne nuk na sillte shteti rrugë”, thotë një banor kalimthi, pasi askush nuk do “që të përzihet me ta”. Frika por edhe autocensura këtu bëjnë të vetën, duke u ndjerë të pafuqishëm para fuqisë së individëve që gjithsesi janë “pronarë nën sekuestro” të hapësirave të mëdha pyje e tokë arë. Prona që askush nga banorët autoktonë aty nuk mundën që të merrnin pyjet e familjes, madje edhe tokën arë vetëm një pjesë është pajisur me dokumenta, ndryshe nga “blerësit e shpejtë” që në kohë të shkurtër jo vetëm tokën arë, por edhe pyjet i bënë “me dokumenta të rregullta”.